
17.07.2024 – Vala e të nxehtit siç duket ka arritur kulminacionin sot. Sipas matjeve nga stacionet e IHMK-së, të cilat janë të qasshme për publikun, duket se temperatura më e lartë e regjistruar në Kosovë eshtë në Junik prej 39°C, e pastaj duke u pasuar me 38°C në Istog, Mitrovicë e Kamenicë, ndërsa në Prishtinë prej 37°C.
Në Gjilan, sipas stacionit personal meteorologjik, sot dhe dje temperatura ka arritur deri në 37.1°C, ku dita e djeshme mbanë rekordin për vlerën më të lartë të regjistruar për vitin 2024.
Edhe pse sot ishte dita më e nxehtë në pjesën dërrmuese të vendit, në zona të caktuara nuk munguan vranësirat, të cilat sollën rrebeshe të izoluara shiu dhe disa shkarkesa rrufesh, kryesisht në jug të vendit në zonat malore si dhe në komunën e Malishevës.
Nga dita e enjte e në fundjavë, priten masa më të paqëndrueshme, ku reshjet do të të jenë më të shtrira në shkallë vendi, me përjashtim për të premten, të cilat do të jenë më të izoluara.
Dita do të nisë me diell e vranësira të pakta, ndërsa gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes, priten lokalisht vranësira konvektive, të cilat do të gjenerojnë rrebeshe shiu, breshër e shkarkesa rrufesh. Sipas parashikimeve të fundit, dita e shtunë parashihet të jetë më e rrezikshme, ku përpos stuhive lokale, mund të ketë edhe breshër masiv, për të cilat do të informoheni me kohë.
Edhe dita e dielë parashikohet me diell e vranësira, e lokalisht me rrebeshe shiu e shkarkesa rrufesh.
Përpos këtyre masave të paqëndrueshme, do të depërtojnë edhe masa më të freskëta, sidomos në fundjavë, të cilat do të ulin sado pak temperaturat në vlerat maksimale, ndërsa ulje e ndjeshme pritet në ato zona gjatë kohës me të reshura.
Pra, temperaturat maksimale do të fillojnë gradualisht të ulen nga dita në ditë.
Gjatë javës së ardhshme ulje edhe më e ndjeshme e temperaturave, të cilat mund të ulen rreth vlerave 25°C në mesjavë. /MeteoKosova/