
Edhe dita e sotme po karakterizohet kryesisht me diell dhe jashtëzakonisht e nxehtë, duke arritur kulminacionin, me temperatura maksimale deri në 39 apo 40°C.
Pra, do të jetë dita më e nxehtë deri më tani për këtë vit. Kjo si pasojë e fuqizimit të masave të nxehta afrikane përpara ardhjes së frontit të ftohtë pasditën e së Mërkurës. Lokalisht ka edhe erëra të fuqishme.
Të Mërkurën do të mbajë mot me diell dhe vranësira me mundësi për ndonjë reshje të izoluar në orët e mëngjesit, përderisa në pjesën më të madhe të ditës pritet të ketë erëra mjaft të fuqishme me drejtim nga perëndimi dhe jugperëndimi, duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 80 km/h! Si pasojë e intensitetit të vazhdueshëm të erës, parashihet të ketë edhe dëme materiale në zona të caktuara.

Gjatë depërtimit të frontit në orët e pasditës dhe mbrëmjes, pritet lokalisht të ketë rrebeshe shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh dhe mundësi për breshër.
Megjithatë, një gjë është e sigurtë, freskia do të vjen për të gjithë vendin, veçmas nga dita e Enjte, kur temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, me maksimale prej 20 deri në 25°C. Moti do të karakterizohet me diell dhe vranësira.
Nga dita e Premte rikthehet moti me diell si dhe ngritja graduale e temperaturave. /MeteoKosova/