BallinaKosovë

Zbarkon dimri: Të dielën reshje bore, temperaturat më pas zbresin deri në -6°C

Edhe pse më 20 mars kemi hyrë zyrtarisht në stinën e pranverës, moti gjatë kësaj jave nuk e ka reflektuar plotësisht këtë ndryshim. Temperaturat nuk kanë qenë të ulëta, por kanë mbizotëruar vranësirat dhe reshjet lokale të shiut, herë pas here edhe në formë rrebeshesh.

Gjatë ditës së sotme pati edhe breshër në Hogosht të komunës së Kamenicës. Megjithatë, pjesa më e madhe e vendit është përfshirë nga kthjellimet dhe dielli, me temperatura maksimale që u ngjitën deri në 17 apo 18°C.

Ndërkohë, acari polar ka nisur rrugëtimin drejt viseve tona. Të dielën pritet të kalojë një front i fuqishëm, i cili fillimisht do të sjellë reshje shiu, por shumë shpejt ato do të shndërrohen në reshje bore në pjesën më të madhe të vendit. Në zonat malore priten mbi 20 cm reshje të reja bore.

Reshje të dendura shiu e bore priten në Shqipëri, të cilat lokalisht do të shoqërohen edhe me shkarkesa rrufesh dhe erëra të forta.

Gjatë javës së ardhshme pritet të zbuten masat e ftohta, ndërsa temperaturat maksimale do të fillojnë të rriten gradualisht. Megjithatë, në netët me mot të kthjellët, temperaturat pritet të zbresin të pakten deri në -6°C.

Ditët do të vijojnë me vranësira të shpeshta, ndërsa lokalisht mund të ketë ndonjë reshje të izoluar. /MeteoKosova/

Detaje të tjera për javën e ardhshme do t’i gjeni të hënën në parashikimin javor të motit.

Related Articles

Back to top button
sqAlbanian
Close

Adblock Detected

Ju lutemi te fikni Ad Blocker!