
Gjatë kësaj jave vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e masave të ftohta me origjinë polare, ku qendra e këtyre masave është në lindje të kontinentit, ndërsa skaji i tyre do të prekë edhe rajonin tonë.
Nën këto kushte, dita e sotme po karakterizohet me mot të vranët, ku kishte edhe reshje lokale bore gjatë orëve të mëngjesit. Reshjet do të paraqiten lokalisht edhe në pjesën e mbetur të ditës.
Dita e martë do të vazhdojë me mot kryesisht të vranët, duke mos përjashtuar mundësinë për ndonjë reshje të izoluar bore, sidomos në zonat malore.
Nga dita e mërkurë pritet gradualisht të tërhiqen vranësirat, të cilat do të kontribuojnë në depërtimin e masave të ftohta gjatë natës, duke sjellur ulje të mëtejshme të temperaturave.
Kushtet me mot kryesisht me diell do të shoqërojnë nga dita e enjte e në fundjavë. Orët e mëngjesit dhe mbrëmjes do të mbesin me acar të fortë, ndërsa gjatë ditës temperaturat do të kalojnë gradualisht në vlera pozitive nga dita në ditë, për shkak që masat e ftohta do të tërhiqen nga rajoni ynë, duke vazhduar drejt Lindjes së Mesme.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, me shpejtësi prej 10-38 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -13 deri në -3°C, ndërsa ato maksimale prej -1 deri në 10°C. /MeteoKosova/