
Masat e nxehta nga Afrika veriore, siç duket sot arritën kulmin e tyre për këtë javë, duke sjellur temperatura mjaft të larta, të cilat kapën vlerën deri në 37°C apo saktësisht 36.9°C në Gjilan. Po ashtu, edhe Kamenica regjistroi vlerën deri në 37°C.

Të Dielën, pritet të depërtojë një front i dobët ajror orëve të pasditës, i cili do të sjellë shtim të vranësirave dhe rrebeshe lokale e shiu, kryesisht më të përqëndruara në Rrafshin e Kosovës. Reshjet parashihet të jenë kalimtare të cilat mund të jenë edhe në formë të breshërit, të shoqëruara me disa shkarkesa të forta elektrike.
Njëkohësisht, priten edhe erëra mjaft të fuqishme, me shpejtësi rreth 80 km/h, të cilat mund të sjellin edhe dëme materiale! Temperaturat pësojnë ulje të ndjeshme gjatë kohës me të reshura.
Nga dita e Hënë pritet sërish ngritje e temperaturave, ku kulminacioni i të nxehtit parashihet të jetë të Martën, e cila mund të jetë edhe dita më e nxehtë deri më tani për këti vit. Temperaturat mund të arrijnë deri në 39°C.
Nga dita e Mërkurë pritet të depërtojnë masa të ftohta nga veriperëndimi i kontinentit, duke i dhënë fund të nxehtit ekstrem. Këto masa, përpos që do të sjellin ulje të theksueshme të temperaturave, sidomos nga e Enjta, ato të Mërkurën mund të sjellin edhe reshje lokale shiu, e po ashtu edhe erëra mjaft të fuqishme në të gjithë vendin. /MeteoKosova/