
Në vijim, ju sjellim një përmbledhje të ngjarjeve kryesore meteorologjike që karakterizuan vitin 2024, bazuar në të dhënat nga “Stacioni Personal Meteorologjik”, të vetmin që e zotërojmë në Gjilan, si dhe disa nga të dhënat e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK).
Fillimi i vitit 2024 nisi me mot të ftohtë, të shoqëruar herë pas here me reshje shiu dhe bore. Reshjet e borës ishin të pakta, por më të theksuara më 20 janar, kur u krijuan shtresa bore në shumë zona të vendit. Reshje bore pati edhe më 24 dhe 25 janar. Në aspektin termik, temperatura më e ulët e vitit në Gjilan u regjistrua më 22 janar, duke zbritur deri në -10.3°C. Në Aeroportin e Prishtinës, temperatura arriti deri në -12°C, ndërsa në Ferizaj deri në -13°C.
Pranvera e vitit 2024 ishte kryesisht e ngrohtë, por reshjet e shiut ishin të pranishme herë pas here. Më 15 prill, temperaturat në Gjilan arritën deri në 30°C, një vlerë e pazakontë për muajin prill.
Vera e vitit 2024 u karakterizua nga kushte të thata dhe temperatura të larta ekstreme. Gjithsesi, pati edhe raste të stuhive të fuqishme dhe breshërit, si ai që goditi rajonin e Ferizajit më 26 qershor. Temperatura më e lartë e vitit u regjistrua më 13 dhe 14 gusht, kur në Kamenicë arriti 40°C (më 13 gusht), në Mitrovicë 39°C (më 13 gusht), në Prishtinë 38°C (më 13 gusht), dhe në Gjilan 39.0°C (më 14 gusht).
Sa i përket reshjeve, Gjilani regjistroi një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2023. Sasia totale e reshjeve për vitin 2024 ishte 523.6 mm, ndërsa në vitin 2023 ishte 519.8 mm. Muaji shtator ishte më i pasuri me reshje, duke regjistruar 69.4 mm, ndërsa muaji shkurt ishte më i varfëri, me vetëm 4.8 mm.
Sa i përket shpejtësisë maksimale të erës, vlera më e lartë e vitit 2024 u regjistrua më 21 nëntor, me një shpejtësi prej 63 km/h. Shpejtësia më e madhe e regjistruar ndonjëherë në Gjilan mbetet 69 km/h, e matur më 24 shtator 2018 dhe më 15 gusht 2020, që prej themelimit të stacionit meteorologjik në gusht 2014. /MeteoKosova/