
I nxehti afrikan është rikthyer sërish gjatë kësaj jave, me ç’rast po sjellë mot me diell dhe temperatura të larta, të cilat sot pritet të arrijnë edhe deri në 37°C në shkallë vendi në Kosovë.
Të Shtunën, pritet të depërtojë një sistem i fuqishëm frontal. Fillimisht, stuhitë e forta do të përfshijnë pjesë të Evropës Qëndrore dhe Ballkanit gjatë ditës së sotme, të cilat më më të përqëndruara do të jenë në Slloveni, Hungari, Sllovaki, Kroaci, Bosnje & Hercegovinë, e më pas të Shtunën dhe të Dielën do të prekë pjesën tjetër të Ballkanit dhe Evropës Lindore.
Pra, të Shtunën, ky sistem i fuqishëm frontal do të prekë edhe Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Greqinë, Poloninë, Bullgarinë, Poloninë, etj. Kështu, deri të Dielën pritet të arrijë deri në Rusi e Skandinavi.
Sistemi frontal pritet të gjenerojë rrebeshe shiu, herë-herë të vrullshme, të shoqëruara me erëra mjaft të fuqishme, breshër dhe shkarkesa rrufesh.
Sa i përket stuhive më të forta parashihet të jenë Itali, Kroaci, Bosnje & Hercegovinë, në bregdetin shqiptar dhe atë malazez, pjesërisht në Serbi, Hungari, Sllovaki dhe Poloni. Në Detin Adriatik dhe Jon parashihen edhe tornado ujore përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë.
Tani do të ndalemi mbi vendin tonë. Edhe të Shtunën mbi Kosovë do të jetë një mot mjaft i nxehtë, ku fillimisht do të përshkohet nga moti kryesisht me diell në pjesën e parë të ditës, më pas nga mesdita pritet shtim i vranësirave, duke sjellur orëve të pasditës dhe mbrëmjes rrebeshe shiu, shkarkesa të fuqishme rrufesh, erëra mjaft të forta dhe breshër, me ç’rast mund të ketë edhe vërshime në zona të caktuara. Njëkohësisht, edhe temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, duke i dhënë fund valës së nxehtësisë afrikane.
Nga dita e Dielë temperaturat do të ulën në të gjithë vendin, përderisa moti do të karakterizohet me diell e vranësira, e lokalisht priten reshje shiu e disa shkarkime rrufesh.
Temperaturat maksimale të Shtunën pritet të arrijnë deri në 34°C, ndërsa të Dielën deri në 26-27°C. Një ulje më e ndjeshme parashihet në fillim të javës së ardhshme. /MeteoKosova/